
LEGJISLACIONI PËR SISTEMET E MBIKËQYRJES ME VIDEO NË SHQIPËRI
Mbikëqyrja video është një mjet i rëndësishëm në mbrojtjen e jetës dhe pronës, në parandalimin, zbulimin dhe luftën kundër kriminalitetit. Nevoja për mbikëqyrje video shfaqet si në aspektin e sigurisë private (mbrojtja e jetës dhe pronës nga vetë qytetarët), ashtu edhe në atë të sigurisë publike, pasi sistemet e mbikëqyrjes me kamera lehtësojnë procesin e parandalimit dhe kontrollit të kriminalitetit. Në këtë kuptim, këto sisteme janë një ndihmë e madhe për individët, për krijimin e sensit të tyre të sigurisë, ashtu edhe për mbarëvajtjen e institucioneve publike, të cilët kanë si funksion ruajtjen dhe garantimin e sigurisë publike.
Tradicionalisht, kur flasim për ndikimin e legjislacionit në mbikëqyrjen video, kemi patur parasysh çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë kontekst, është shumë i rëndësishëm Ligji Nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale
Ky ligj përcakton të dhënat që quhen personale, si dhe detyrimet e subjekteve që i mbledhin, përpunojnë e ruajnë këto të dhëna. Në kuptim të këtij ligji, të dhënat që mblidhen nga sistemet e mbikëqyrjes me kamera: si fytyrat, vendndodhjet, lëvizjet e personave, etj, janë të dhëna personale dhe, si të tilla, gëzojnë mbrojtje të posaçme ligjore. Për të detajuar detyrimet ligjore, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar udhëzimin nr. 3, datë 05/03/2010 “Mbi përpunimin e të dhënave personale me sistemin e video survejimit në ndërtesa dhe mjedise te tjera” dhe, më tej, në zbatim të tij, ka miratuar një udhëzues më të detajuar që zbatohet në fushën e mbikëqyrjes video.
Ky Udhëzues përmban rekomandime të përgjithshme që kanë për qëllim të orjentojnë kontrollues të ndryshëm (publik ose privatë) në konceptimin dhe përdorimin e sistemeve të videosurvejimit, kamerat CCTV «closed-circuit television».
Udhëzuesi u drejtohet personave që kanë vendosur të instalojnë sisteme CCTV dhe që janë përgjegjës për funksionimin e tyre, si dhe furnizuesve ose kontraktorëve të tjerë që përfshihen në instalimin dhe funksionimin e CCTV-ve.
Ky Udhëzues përfshin rregulla mbi përdorimin e CCTV dhe sistemeve të tjera të cilat kapin imazhe të individëve të identifikueshëm dhe informacion në lidhje me individët për ndonjë nga qëllimet e mëposhtme:
- Për të parë se çfarë është duke bërë një individ, (për shembull monitorimi i tyre në një dyqan apo ecja nëpër rrugë).
- Përdorimi i imazheve të një individi në një farë mënyre që do të ndikojë në privatësinë e tyre, (për shembull kalimin e imazheve drejt një kompanie televizive).
- Potencialisht për të marrë disa masa në lidhje me një individ, (për shembull dorëzimin e pamjeve policisë për të hetuar një vepër penale).
Sipas udhëzuesit, të dhënat e ruajtura në sistemin e video survejimit, imazhe apo tinguj, janë të dhëna personale me kusht që një individ të mund të identifikohet drejtpërdrejtë apo tërthorazi në bazë të këtyre regjistrimeve. Një individ është i identifikueshëm, nëse imazhi në të cilën ai është regjistruar zbulon shenjat e tij dalluese si fytyrën, etj, dhe mundëson identifikimin e plotë të tij kur këto karakteristika krahasohen me të dhëna të tjera në dispozicion. Gjithashtu, rregullat e këtij udhëzuesi zbatohen edhe në qoftë se imazhet nuk janë të regjistruara. Kjo pasi siguria e të dhënave dhe respektimi i privatësisë mund te rrezikohen edhe në rastin kur nuk regjistrohen imazhet dhe në qoftë se ato tranferohen direkt në një destinacion tjeter nëpërmjet një rrjeti të brendshëm. Ekziston mundësia që këto imazhe të interceptohen nga piratët informatik ose thjesht të përdoren për qëllime të tjera të jashtëligjshme nga personat që i marrin këto të dhëna.
Ligji për masat shtesë të sigurisë publike
Në fushën e mbikëqyrjes vide, një zhvillim i rëndësishëm, por edhe i diskutueshëm ishtë miratimi i Ligjit Nr. 19/2016, “Për Masat Shtesë të Sigurisë Publike”, i cili parashikon një mori masash të reja, të cilat institucionet publike dhe private detyrohen t’i zbatojnë në kuadër të garantimit të sigurisë publike. Në nenin 1 të këtij ligji parashikohet se qëllimi i këtij ligji është krijimi i kushteve ligjore për sigurimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe subjekteve publike e private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, me synim zbulimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale, në mbrojtje të pronës, jetës dhe garantimin e sigurisë publike.
Ligji Nr. 19/2016 “Për Masat Shtesë të Sigurisë Publike” jo vetëm përcakton masat që duhet të marrin institucionet për të garantuar sigurinë publike, por parashikon edhe kufirin deri ku mund të realizohet procesi i vëzhgimit me kamera i ambienteve të hapura apo të mbyllura, duke garantuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Në kuadër të Ligjit Nr. 19/2016 “Për Masat Shtesë të Sigurisë Publike”, masat shtesë të sigurisë ndër të tjera janë:
përdorimi i sistemit të kamerave CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj.
Ndërsa kategoritë e subjekteve, që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie (pas vlerësimit të analizës së rrezikut të bërë nga Policia e Shtetit) janë:
a) subjektet që kanë selinë e mjediset e punës dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë;
b) subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentues, të cilët, në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur;
c) subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23:00 – 06:00;
ç) subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë;
d) subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit;
dh) subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si: shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar;
e) subjektet që kryejnë veprimtari të transportit publik për udhëtarët, nxënësit, studentët, si dhe transport të vlerave monetare dhe të mallrave të rrezikshme.
Pra jo çdo subjekt është i kërkuar që t’i përdorë këto sisteme të sigurisë, të cilat kanë në thelb të tyre përpunimin e të dhënave personale. Të gjithë subjektet e tjerë janë të lejuar, nën parashikimet që përmendëm më lart për mbrojtjen e të dhënave personale.
Megjithatë, ligji parashikon që cdo individ/institucion i cili është subjekt i këtyre masave, duhet të garantojë që përpunimi i të dhënave personale të përfituara nga sistemet e sigurisë të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Rregullat e përgjithshme për grumbullimin, përpunimin, përdorimin, ruajtjen dhe shkatërrimin e të dhënave personale janë të përcaktuara në ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Subjektet që zbatojnë masa sipas këtij ligji janë të detyruar, që përpara fillimit të përpunimit të të dhënave personale, të njoftojnë me shkrim Zyrën e Komisionerit sipas përcaktimeve të nenit 21 të Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”,si dhe të përmbushin të gjitha të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në këtë ligj.
Sistemet e mbrojtjes së sigurisë me kamera, janë sisteme të cilat kanë një rëndësi të vecantë dhe thelbësorë në garantimin e mbrojtjes së sigurisë publike, por mbetet në dorë të vet subjekteve në balancimin e mbrojtjes së sigurisë dhe të rendit publik, si një e drejtë me karakter publik si dhe të së drejtës private për mbrojtjen e të dhënave personale. Megjithatë, duke marrë në konsideratë rritjen e ndjeshme të kriminalitetit kohët e fundit në vendin tonë, nuk mund të mohohet dhe të mos vihet në pah rëndësia që kanë pasur sistemet e sigurisë me kamera, për të identifikuar personat e dyshuar,për të zbuluar një krim, për të cuar një hetim për një vepër penale në një rrjedhë të caktuar,etj.